Një pikturë simbol i ditës së konsumatorit

Data 15 Mars e njohur si Dita Botërore e Konsumatorit, është përkujtuar në formë kreative nga Bashkia e Tiranës, përmes Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, ku fëmijë si Alvi Aliu, i cili fitoi edhe çmimin e parë, janë ftuar të marrin pjesë në konkursin “Piktura e Konsumatorit”.Bashkë me nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Vasil Shanto”, u vlerësuan me çmime të tjera edhe piktura mjaft domethënëse mbi marrëdhënien konsumator-tregtar, të Vikent Priftit nga shkolla “Dora D’Istria”, Emi Çela dhe Alesia Skifteri nga shkolla “1 Maji” si dhe piktura e Ueida Nikollit, nxënëses nga shkolla “E kuqe”. Në fakt, nisma që u finalizua sot me dhënien e çmimeve në mënyrë simbolike nga ana e Nën/Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Andi Seferi dhe znj. Laura Deliu si Drejtore e Përgjithëshme e Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, nisi që në muajin Shkurt.Projekti në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, u shtri në 10 shkolla publike 9-vjeçare të Bashkisë Tiranë, ku në fokus ishte edukimi i nxënësve të klasave të 6-ta, mbi konceptin dhe të drejtat e konsumatorit. Ky informacion që u përcoll tek ata, nga stafi i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit, u përkthye më pas në krijime të llojit vizatim ose pikturë, të cilat u vlerësuan nga vetë fëmijët përmes votimit në rrjete sociale. Çdo punë krijuese që u soll nga fëmijët, shprehte qartazi informacionin që ata morën mbi të qënurit konsumator.