REAGIM

Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit – Bashkia Tiranë, si dy institucione që merren me administrimin e qenve endacakë dhe parqeve publike, dënojnë ashpër ngjarjen e rëndë të ndodhur dje në Parkun e Liqenit, e cila është raportuar me shqetësim edhe nga organizatat për mbrojtjen e kafshëve dhe qytetarë të ndryshëm, për gjetjen e disa katërputroshëve të pretenduar si të helmuar.

Prej disa vitesh, Bashkia Tiranë në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e kafshëdashësve dhe qytetarë dashamirës, ka ndërtuar një qendër veterinare për trajtimin dhe vaksinimin e kafshëve të rrugës, ku janë marrë si model praktikat më të mira ndërkombëtare. Gjithashtu, prej një viti, për t’ju ardhur në ndihmë vullnetarëve, por duke siguruar njëkohësisht edhe shëndetin publik të qytetarëve, veterinerët kryejnë direkt në terren vaksinimin.

Me sukses aplikojmë edhe adoptimin e qenve nga qendra veterinare, ku shumë prej vullnetarëve, por jo vetëm, kanë mirëpritur dhe marrë në shtëpi qenushë të braktisur. Ndërkaq, lidhur me ngjarjen e djeshme, ne si AMK dhe APR kemi ndjekur rrugën ligjore, duke ju drejtuar organeve kompetente për të hetuar rastin. Nxisim jo vetëm institucionet publike për të gjetur përgjegjësit apo shkaqet e kësaj situate, por gjithashtu inkurajojmë dhe kafshëdashësit që të jenë mirëkuptues deri në zbardhjen e ngjarjes.