Fushata promovuese “Shporta Tiranase”!

“Shporta Tiranase” është fushata informuese që Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, ja drejtoi gjatë fundvitit 2022 qytetarëve jo vetëm të Tiranës, por edhe më gjerë. Me qëllim promovimin e kulturës gastronomike të zonës, por edhe zgjedhjen e produkteve me vlera lokale fushata e shtrirë në mediumet online të Agjencisë dhe Bashkisë Tiranë përfshin udhëzuesin me emrin simpatik “Pasaporta Tiranase” si dhe një video të shkurtër ku evidentohen produktet më të njohura të 10 njësive të Tiranës, që nga Baldushku, Petrela, Peza, Shën Gjergji, Vaqarri e më gjerë.Të gjithë e njohin gjelin e detit të Baldushkut, i cili tashmë është “brand” i zonës si një produkt mjaft popullor, gjithashtu edhe domaten e Shën Gjergjit, por cili është një prodhim karakteristik i Zall-Herri?! Në këtë rast është mareja dhe rakija që prodhohet prej këtij fruti. Vaqarri është një tjetër shembull ku mishi i gjethëve gjendet i freskët dhe i shijshëm, për ta gatuar me sukses pjatën tipike të zonës, siç është tava e dheut. Pra kjo është ideja e këtij udhëzuesi, të bëjë bashkë këto produkte dhe të informojë konsumatorin se çfarë duhet të zgjedhë dhe pse duhet ta zgjedhë, duke i shpjeguar jo vetëm vlerat tradicionale, nutricionale, por edhe impaktin që ka në ekonominë e zonës si dhe faktin që shpesh herë këto prodhime mund t’i blejmë me çmime më të lira. Këto prodhime gjenden lehtësisht në tregjet publike të Bashkisë Tiranë, duke nisur që nga tregu i gjelit të detit në Baldushk e deri tek tregjet e vogla festive që çelen në këtë periudhë. Duke qenë se festat e fundvitit janë një motiv për tu mbledhur pranë tryezës familjare, ku më mirë se në këtë kohë, zgjedhja të jetë lokale.