“FoodLand”, festivali i ushqimit të shëndetshëm!

Perime që kërcejnë, pemë frutore argëtuese dhe një libër me receta të shëndetshme për shefa të vegjël! Këto janë disa nga detajet e festivalit tre ditor “FoodLand”, i cili u zhvillua nga Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit pjesë e Bashkisë Tiranë, në zonën e Parkut të Liqenit. Festivali i dedikohet fëmijëve me qëllim ndërgjegjësimin e konsumatorit të vogël, mbi mësimin e zakoneve të mira të ushqimit. Për këtë arsye pjesmarrës ishin fëmijë të moshës 5, 6 dhe 7 vjeç të cilët jo vetëm u argëtuan me lojëra zbavitëse, por morën pjesë dhe në konkursin e gatimit. Përmes ndihmës së nutricionistes Dhurata Thanasi, mësuan mbi ushqimet e shëndetshme, por edhe si të “fshehin” shijshëm ato produkte që shpesh herë vogëlushët si kanë shumë qejf. “Edukimi jo vetëm për t’u ushqyer shëndetshëm, por edhe jeta aktive përmes sportit, është në fokusin e vijueshëm të fushatave ndërgjegjësuese që ka Bashkia e Tiranës. Ky festival është vetëm një nga dhjetra të tillë që këtë vit i përkushtohen këtij qëllimi”, tha Andi Seferi, Nënkryetar i BT. “Në kuadër të Ditës Botërore të Konsumatorit po organizojmë këtë festival, i cili synon ndërgjegjësimin e konsumatorit të së ardhmes.”, u shpreh Laura Deliu, Drejtore e Përgjithëshme e AMK-së. “FoodLand Fest” u organizua tek Amfiteatri i Liqenit, në datat 16, 17 dhe 18 Mars 2023 duke ftuar çdo vogëlush të bëhet pjesë e lojërave kreative mbi ushqimin e shëndetshëm.