Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, institucion në varësi të Bashkisë së Tiranës, shpall
procedurën e konkurimit për vendin e lirë të punës për pozicionin:
-1 (një) vend i lirë pune, specialist, në sektorin juridik dhe përfaqësimit ligjor, (Kategoria IV-a);
Disa nga detyrat që duhet të kryejë specialisti janë:
1. Jep përgjigje ligjore dhe teknike për zgjidhjen e problemeve, për kërkesat dhe ankesat që i kalojnë për t’u përpunuar, brenda fushës së tij të veprimit në Sektorin Juridik dhe të Përfaqësimit Ligjor.
2) Përgatit propozime në lidhje me trajtimin e çështjeve të ndryshme me karakter profesional dhe teknik, të kërkesave, ankesave, kontratave të punës dhe çështjeve të tjera të lidhura me fushën që mbulon Sektori Juridik dhe i Përfaqësimit Ligjor.
3) Ndjek dhe përpilon dokumentacionin përkatës në përgjigje të korespondencës institucionale për fushën që mbulon sektori, deri në kthim përgjigje brenda afateve ligjore dhe nënligjore të përcaktuara.
4) Koncepton dhe përgatit shkresën dhe praktikën e përgjigjes në tërësi, dhe pasi e nënshkruan në përputhje me bindjen e tij dhe ligjin, ia paraqet Përgjegjësit të Sektorit Juridik dhe të Përfaqësimit Ligjor, apo sipas rastit, drejtuesve të linjës së hierarkisë.
5) Punon në vazhdimësi për zhvillimin personal, në aspektin teknik-profesional dhe atë të përditësimit të njohurive të bazës ligjore dhe nënligjore në fuqi, në mënyrë të veçantë të atyre që lidhen me fushën e së drejtës dhe që mbulon Sektori Juridik dhe i Përfaqësimit Ligjor.
6) Merr pjesë në veprimtaritë trajnuese të agjencisë, bashkisë, apo institucioneve të tjera, në funksion të zhvillimit personal.
7) Ndihmon dhe bashkëpunon me specialistët e tjerë të sektorit dhe të agjencisë, në përgatitjen e materialeve të ndryshme që kanë lidhje me veprimtarinë e Sektorit Juridik dhe të Përfaqësimit Ligjor dhe që i ngarkohen nga punonjësit e linjës hierarkike.
8) Merr pjesë në grupe të ndryshme pune, komisione apo borde, me propozim të Përgjegjësit të Sektorit Juridik dhe të Përfaqësimit Ligjor apo Drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Juridike dhe Shërbimeve Mbështetëse dhe me miratim të Drejtorit të Përgjithshëm.
9) Paraqet propozime pranë Përgjegjësit të Sektorit Juridik dhe të Përfaqësimit Ligjor dhe Drejtorit të Drejtorisë së Burimeve Njerëzore, Juridike dhe Shërbimeve Mbështetëse, në rast se është e nevojshme edhe në bashkëpunim me specialistët e tjerë të sektorit ku bën pjesë apo sektorëve të tjerë të agjencisë, për ndryshime apo rregullime në dispozitat ligjore, nënligjore e normative në fuqi,mbi të cilat ushtron kompetencat sektori dhe për mënyrën më efikase të organizimit e të funksionimit të tij.
10) Kryen studime për çështje të ndryshme me interes publik dhe institucional, për fushat që mbulon Sektori Juridik dhe i Përfaqësimit Ligjor.
11) Zbaton çdo detyrë tjetër lidhur me fushën e tij të kompetencave, e cila i ngarkohet nga drejtori i përgjithshëm, drejtori i drejtorisë apo përgjegjësi i sektorit.
12) Kompetencat, përgjegjësitë dhe elementë të tjerë të punës së përditshme, që përbëjnë në tërësi detyrën zyrtare të Specialistit të Sektorit Juridik dhe të Përfaqësimit Ligjor, përcaktohen më të detajuara në Përshkrimin e Punës, të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në bazë e për zbatim të kësaj rregulloreje, dokument i cili përbën edhe bazën e vlerësimit të punonjësit të emëruar në këtë pozicion pune të strukturës së agjencisë.
Dokumentat që aplikanti për specialist duhet të paraqesë janë si më poshtë:
- CV;
- Kopje ID;
- Çertifikatë personale dhe familjare;
- Diplomë (Bachelor dhe/ose Master Profesional/Shkencor) ose Diplomë e Nivelit të Dytë, dhe listë notash të noterizuara;
- Çertifikata, kualifikime etj (nëse dispononi)
- Librezë pune origjinale;
- Raport mjeko – ligjor;
- Dëshmi penaliteti;
- 2 fotografi;
Afati për dërgimin e CV-ve dhe Diplomë (e skanuar) në adresën konsumatori@tirana.al është deri me datë 30.11.2022 ora 16:00.